Ballina Mozaik DHE LAPSI PRAPË DRIDHET…

DHE LAPSI PRAPË DRIDHET…

772
0

Arsyeja e ekzistencës së lapsit është të shkruarit. Edhe pse nuk i ngjan lapsit, të shkruarit dëshmon për lapsin. Lapsi harxhohet duke shkruar, por ama vetëm duke shkruar arsyetohet ekzistenca e tij. Sa më shumë germa të ketë bashkuar, aq më shumë do të jetë harxhuar, derisa të mos ketë ngelur fare, derisa të jetë bërë i tëri shkrim, derisa të jetë bëri i tëri germa, deri sa të jetë bërë fjalë e gjallë e t’i ketë dhënë jetë ngjyrës dhe letrës. Lapsi zhduket duke lënë praninë e tij në letër ashtu siç trupi zhbëhet duke lënë praninë e qenies në Tokë me çdo vepër.
E ç’laps je ti nëse nuk shkruan? Ç’laps je ti nëse germat i ke lënë të ndara në kujtesën tragjike të historisë? Nuk ka histori tragjike, ka tragjedi që bëjë historitë. Nuk ka hyrje në histori, sepse kështu do të qe e mundur edhe dalja nga historia. Nuk hyn lapsi në histori, por e shkruara prej tij është vetë historia. Ç’do të thotë t’i lësh të ndara gjërat për të cilat ke ardhur në botë për t’i bashkuar? Cila gjallesë mund t’i bashkojë germat veç teje? Di gjë për germat ti? Pa heshtjen nuk mund të bëhen të pranishëm tingujt dhe çdo germë është një tingull i ruajtur në heshtje, me mundësinë që prapë të ringjallet në botën e tingujve nëpërmjet leximit. Të tilla janë edhe këto germa që po takohen me sytë e tu këtu dhe tani. Germa A është hapje buzësh, germa M është mbyllje e tyre. Emri i njeriut të parë nis me A dhe mbaron me M. A-ja është fillimi, M-ja është mbarimi. A-ja është lajm, është thirrje, është ardhje, është qarje, është britmë, është kumt që mbyllet me M-ën. A-ja është ndarje, M-ja është bashkim. A-ja është fillimi i një tingëllime, M-ja fundi i saj. Edhe po të jesh gjuhëkëputur, këto dy germa mund t’i thuash pa u vërejtur mungesa e gjuhës. Midis A-së dhe M-ës ndodhin lindjet dhe vdekjet, ndarjet dhe takimet. Aty zbulesa bëhet fshehtësi e fshehtësia zbulesë. Aty takohen botët. Aty përbashkohen buzëqeshjet dhe lotët. Aty bashkohen jo veç emrat, por edhe zemrat. Aty takohet balta tokësore me Frymën Qiellore. Aty takohet lapsi me fletën dhe shpirti trupit aty ia jep jetën. Por, lapsi dridhet në këtë takim, ashtu siç dridhet zemra e dashuronjësit kur takon të dashurin me mallëngjim.
A mund ta duash zjarrin duke mos e dashur dritën?
A mund ta duash ujin duke mos e dashur lagështinë?
A mund ta duash pikturën duke mos i dashur ngjyrat?!
Hyjnorja ka ngjyrosur jetën me shumë zemra që rrehin dhe çdo rrehje dëshmon se sa ka vlerë një çast. Nëse një çast ndalimi i zemrës quhet vdekje, si quhen çastet kur rrehjet nuk mungojnë? Nëse prania e një zemre është gjallëri, çfarë është mungesa e saj?
A mund të shkruajë lapsi për atë që nuk është, por nuk mungon?
A nuk i mjafton lapsit gjaku i Ademit të shkruajë për ditët kur buka e ndarë i mbante zemrat të bashkuara? A nuk i mjaftojnë lapsit netët e Ademit pa përqafimin e fëmijëve që t’i bëjë miliona zemra t’i përqafojnë fëmijët? A nuk i mjafton lapsit zemra e Ademit për t’i bërë të vetëdijshme miliona zemra për rrehjet e tyre? A nuk i mjaftojnë lapsit rrugët e Ademit që të mos humbasë? A nuk i mjafton lapsit emri i Ademit për të mos mbetur pa emër? Secila është e mjaftueshme, por ama jo për lapsin, por për zemrën. Gjuha mbetet në shtresëzimet e egos, pa arritur kurrë ta shpalosë realitetin e shpirtit në përmasën e vërtetë të ndjeshmërisë. Ajo që ndihet, gjithnjë është më shumë se ajo që mund të thuhet nëpërmjet çdo fjale. Emri është i domosdoshëm, por emri nuk është i njëjtë me të emërtuarin. Lulja është e bukur, por jo për shkak të emrit që i është vënë. Emrat burojnë nga realitetet dhe jo realitetet nga emrat, por ama çdo emër shpreh një realitet të cilin mund ta kemi përjetuar, ose më e pakta, mund të kemi dëgjuar për të. Adem është emri i të gjithëve, por fryma e tij, nuk është e asnjërit. Dhe lapsi prapë dridhet, jo nga pamundësia për ta shkruar emrin Adem, por nga pafuqia për ta përshkruar se kush emrëtohet me këtë emër.

Fatmir Muja
Mars 2019

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here